Njohja dhe zbatimi i standardeve të barazisë gjinore në procesin gjyqësor

Miratimi i legjislacionit antidiskriminim dhe ratifikimi i konventave ndërkombëtare që nënvizojnë parimet e standardet e barazisë dhe mosdiskriminimit është vetëm fillimi i përpjekjeve për të njohur këto të drejta. Zbatim i tyre është një rrugë e gjatë dhe në këto përpjekje pa dyshim që pushteti gjyqësor luan një rol të rëndësishëm.

Duke qenë standarde ende të brishta e të panjohura, ka gjasa që shumë të drejta të cenuara tëmos shkojnë fare në gjykatë e të mos kërkohen në kuadrin e mbrojtjes nga diskriminimi. Kjo ndodh edhe kur këto të drejta janë cenuar në mënyrë të hapur. Nga ana tjetër, qëndron rreziku që, edhe kur paraqiten si të tilla, pra si të drejta të cenuara e të vëna në rrezik, në procesin e gjykimit mund të reduktohen në çështje jo të rëndësishme e gati – gati të zbehen e veniten duke u lënë të pambrojtura.

Pa dyshim që në këtë proces të përpjekjeve të konsolidimit të barazisë dhe mosdiskriminimit gjinor ka edhe përvoja pozitive të cilave duhet dhënë merita me qëllim të njihen e të pasohen nga të tjera. Juridikisht bashkëshortët gëzojnë barazi të drejtash dhe përgjegjësish në disa momente dhe aspekte të rëndësishme të jetës bashkëshortore.

Këtë e evidentojmë në tërësinë e aspekteve formaledhe të kushteve që kërkohen për lidhjen e martesës [konstituimit të martesës si akt]; gjatë martesës[martesës si marrëdhënie], dhe në rast të zgjidhjes së saj [si një nga mënyrat e mbarimit të martesës].

Në gjithë këto procese jetësore e ligjore ndodhin edhe fakte që çojnë në cenimin apo mosrespektimin e së drejtave. Për nga vet natyra e tyre, në marrëdhëniet familjare e martesore, që ligji të bëhet realitet kërkohet që barazia të sigurohet në marrëdhëniet midis vetë bashkëshortëve, në lidhje me personin e tyre, me njëri tjetrin dhe me pronën, si edhe në lidhjet e tyre me fëmijët e tyre.

Pra, vet bashkëshortët dhe anëtarët e familjes duhet të jenë protagonistë të mbrojtjes së standardeve të barazisë e mosdiskriminimit gjatë zhvillimit të jetës familjare e martesore. Në mbrojtjen e të drejtave të bashkëshortëve një rol të veçantë kanë edhe autoritetet. Kështu, është detyrë e autoriteteve gjyqësore si autoritete publike që kur marrin një vendim për ndarjen e pronës, në rast mbarimit apo zgjidhjes së martesës, kur marrin një vendim lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, apo në rastin e një urdhri mbrojtjeje lidhur me dhunën në familje, etj, të kenë parasysh në mënyrë të qartë të gjithë faktorët përkatës që mund të çojnë në diskriminim apo pabarazi kundrejt pasojave që vijnë nga zgjidhja e martesës, dhuna në familje, etj.

Diskriminimi gjinor si i tillë është i lidhur ngushtë edhe diskriminime që lidhen me statusin marital [të qenurit beqar/e, i/e ve, i/e martuar ose i/e divorcuar]. Po kështu në diskriminim ndikojnë edhe gjendja familjare ose martesore, shtatzënia, përkatësia prindërore, përgjegjësitë prindërore, etj shkaqe që hasen dukshëm ose mund të hasen si ‘të fshehura’ gjatë gjykimit të çështjeve familjare. Sipas ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, në nenin 7 nën titullin ‘Mbrojtja nga diskriminimi’, nënvizohet se “përbën diskriminim, çdo veprim ose mosveprim i autoriteteve publike … që krijojnë baza për mohimin e barazisë ndaj një personi apo grupi personash, ose që i ekspozon ata ndaj një trajtimi të padrejtë dhe jo të barabartë, kur ata ndodhen në rrethana të njëjta ose të ngjashme, në krahasim me persona të tjerë ose grupe të tjera personash”. Kjo do të thotë se eliminimi i të gjitha privilegjeve dhe i diskriminimit të padrejtë duhet të garantohet për cilindo në çdo proces e procedurë me cilindo autoritet dhe ca më shumë në vendimet gjyqësore. Jeta familjare e martesore ka një ndikim të madhe në cilësinë e jetës së çdo individi.

Leave A Reply