Iris Aliaj – Bio

Iris ALIAJ është themeluese e Studio Ligjore Aliaj dhe ka ushtruar profesionin e avokatit si dhe funksione të tjera të ngjashme që prej vitit 2008.

Iris Aliaj ka përfunduar studimet e larta, pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës si dhe ka rritur kapacitetet e saj profesionale në një sërë shkollash dhe kursesh ndërkombëtare ku është specializuar në fusha të ndryshme të së drejtës me fokus të drejtat e njeriut.

Ajo ka shërbyer pranë Ministrisë së Drejtësisë për një periudhë dy vjeçare në avancimin e politikave për çështje që lidhen me reformën në drejtësi, drejtësinë penale për të mitur, aksesin në drejtësi, profesionet e lira etj. Gjatë kësaj periudhe ka qenë një nga anëtaret e Komitetit Disiplinor, organ kolegjial, i cili gëzon personalitet juridik nëpërmjet Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Gjithashtu, Iris Aliaj ka ushtruar funsksionet ligjore si Anëtare e Këshillit të Përmbarimit, Përmbarimi Gjyqësor Shtetëror.

Iris Aliaj ka qenë Drejtore Ekzekutive e Rrjetit Ballkanik të Shtetit të së Drejtës (BRRLN) dhe ka punuar për American Bar Association Rule of Law Initiative (ABAROLI). BRRLN ka në përbërjen e tij Dhomat Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut si dhe organizatave të shoqërisë civile të drejtësisë dhe medieve. Në cilësinë e Drejtores Ekzekutive ka kontribuar në mision e organizatës me qëllim sundimin e ligjit, demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përmes forcimit të dhomave të avokatëve të pavarur në bashkëpunim me shoqërinë civile.

Ajo ka punuar për më shumë se 10 vjet, si avokate e të drejtave të njeriut pranë Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare (OJF) për të rritur aksesin e grupeve vulnerabël si dhe viktimave të dhunës me bazë gjinore në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Iris Aliaj ka ofruar shërbime të ndihmës juridike falas deri në 15 viktima të dhunës në familje në ditë. Ajo ka mundësur që për herë të parë në Shqipëri viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare të jenë dëmshpërblyer nga autorët e krimit. Gjithashtu, ajo është e përfshirë në studime të ndryshme, raporte monitorimi, konferenca dhe trajnime duke kontribuar në demokratizimin dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Ajo ka punuar për të ndërmarrë dhe mbështetur iniciativa për përmirësimin e legjislacionit dhe lobimin për projekt-ligje dhe politikat shtetërore në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke u përqëndruar në barazinë gjinore, diskriminimin, luftën kundër dhunës në familje, luftën kundër korrupsionit dhe trafikimin e qenieve njerëzore.